Përfaqësues të ambasadës amerikane në dhomën operative të zgjedhjeve, i bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo shqetësim në lidhje me procesin e zgjedhjeve

14/02/2021 12:05

 Këshilltarja e lartë ligjore nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Lana Owens, ka vizituar dhomën operative të Prokurorit të Shtetit, të cilët janë të angazhuar për mbrojtjen e votës gjatë ditës së zgjedhjeve.

Gjatë kësaj vizite, znj. Owens u njoftua nga Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, me angazhimin që është duke u bërë në dhomën operative në mbrojtjen e votës, përmes monitorimit në teren.

Po ashtu, ajo u njoftua me aktivitetet të cilat janë duke u zhvilluar nga të gjitha regjionet nga prokurorët e caktuar dhe nga stafi mbështetës si dhe koordinimi i cili është duke u zhvilluar me institucionet tjera si policia e Kosovës dhe Komisioni Qendror për Zgjedhje.

Ndërkaq, Owens ka vlerësuar punën që po bën Prokurori i Shtetit për ta siguruar integritetin e procesit zgjedhor. Ajo tha se e gjitha varet edhe nga qytetarët e Kosovës, jo vetëm duke  votuar por edhe duke raportuar në policinë e Kosovës dhe prokurori çfarëdo mashtrimi apo keqpërdorimi të mundshëm të votës.

Lana Owens, nga dhoma operative e Prokurorit të Shtetit, bëri thirrje që çdo gjë të gabuar që shihni ta raportoni në organet kompetente.

 

Top Channel