Tragjedia në Indi, qeni pret të zotin e bllokuar në hyrje të tunelit

12/02/2021 14:40

Qeni njihet si miku më i mirë i njeriut. Dhe episode ku ai na ka bërë edhe të lotojmë, nuk kanë munguar. Këtë radhë, një histori prekëse vjen nga India.

Një qen i quajtur Blackie, me kokëfortësi vazhdon të endet përreth hyrjes së një tuneli, ku skuadrat e shpëtimit po kërkojnë për ata që mungojnë në apel pas tragjedisë të shkaktuar nga shkëputja e një pjese akullnaje. Më shumë se 170 persona konsiderohen të zhdukur, dhe mes tyre, edhe i zoti i këtij qeni, që nuk largohet nga vendi për asnjë çast.

Nga një i ri që do të bëhet baba për të parën herë, e deri tek një djalë telefonata e të cilit me prindërit në pushimin e drekës, nuk erdhi asnjëherë, të afërmit e të zhdukurve në këtë katastrofë, presin për lajme dhe luten ndërkohë për një mrekulli. Edhe pse kanë kaluar tashmë katër ditë nga tragjedia, familjet shpresojnë se ndonjë prej tyre është ende i gjallë, në një nga tunelet ku skuadrat e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë. Dhe Blackie, mes tyre. Tashmë është bërë mik edhe me disa prej shpëtuesve. Disa ishin përpjekur ta dëbonin, por ai vazhdonte të kthehej. Qeni qëndron pranë tunelit si të ishte qeni i dikujt që është bllokuar brenda – thotë një oficer i ushtrisë. Ka hyrë madje dy herë atje dhe duket i shqetësuar”

Top Channel