Skavica, BE “xhelozi” për SHBA/ Yuri Kim: Shqipëri potencial të madh investimi nga SHBA

11/02/2021 14:51

Në një kohë ku nënshkrimi i marrëveshjes nga qeveria shqiptare dhe ajo amerikane  për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, ka ngjallur pakënaqësi në Bashkimin Evropian, së fundmi ka ardhur edhe një reagim nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Kjo e fundit e ka cilësuar si një projekt të madh ndërtimin e Skavicës falë bashkëpunimit Shqipëri-SHBA. Më tej ajo ka shtuar se ka potencial për investime të tjera të mëdha.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim:

“Flas për sa i përket tre prioriteteve, Demokracia, Biznesi dhe Mbrojtja. Durrësi në portin e Durrësi është vendi ku zhvillohen këto të treja. Demokracia në sensin e luftimit të krimit dhe të korrupsionit. Kam folur me drejtorin e autoritet portual dhe atë të doganave. Kemi rënë dakord që janë disa hapa që ndërmerren në mënyrë që të mbyllim disa zona të verbëta. Të shohim së shpejti që të shikojmë ku është bërë progres. Dhe ku SHBA mund të ofrojë ndihmë. Për mbrojtjen kjo është në vijim të vizitës së gjeneralit. Difender 21 është një nga stërvitjet më të larat që do zhvillohet në Ballkan. Në po shikojmë që këto aktivitete të bëhen në Portin e Durrësit. Në fund tek biznesi. Sic e dini për sa i përket çështjes së biznesit  SHBA ka mbështetur ndërtimin e Skavicës. Shikoj potencial shumë të madh për sa i përket mundësisë së investimeve të mëdha nga SHBA në Shqipëri. Kjo varet në Shtetin Ligjor dhe transparencën ligjore të proceseve.”

Ndërkohë në një dokument të hartuar nga Fondi Investimeve të BE për Ballkanin fillimisht renditet progresi i bërë nga ky fond në shumë komponentë studimor për Skavicën duke lënë të kuptohet interesi i kahershem europian për këtë vepër kolosale energjetike. Por është drejtoria për zgjerimin ne BE e cila thekson heqjen dore nga puna e bere deri me tani per Skavicen, menjëherë pas përfshirjes te amerikaneve ne këtë projekt.

Në 3 tetor 2020 në Tiranë u nënshkrua marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt gati 50 vjecar që ishte në pritje. Në Tiranë ishte vetë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për rritjen ekonomike dhe mjedisin, Keith Krack i cili bashkë më ministren e ekonomisë dhe financave Anila Denaj hodhën firmat në një memorandum bashkëpunimi, i pari këtij lloji pas marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve në vitin 1992.

Ndërkohë ministria e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Ballaku nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me presidentin për Europën të kompanisë amerikane Bektel.

Pala amerikane është angazhuar në dhënien e një kredie me terma të buta prej rreth 500 milion dollar, dhe do të shlyhet nga vetë hidrocentrali kur të nisë prodhimin e energjisë. Kjo marrëveshje i dha fund përpjekjeve nga palët e interesuara përfshi, Kinën në ndërtimin e kësaj vepre madhe hidroenergjitike.

Top Channel