Urimi në ditën e shtetit serb, analistët: Biden po i bën presion Serbisë

10/02/2021 03:03

Urimi i presidentit të SHBA, Joseph Biden me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në Beograd. Autoritetet serbe as nuk u përpoqën ta minimizonin mesazhin ku theksohej se Shtetet e Bashkuara mbështesin arritjen e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin me Kosovën, e cila përqëndrohet në njohjen reciproke”.

Ministri i Jashtëm Nikola Selakoviç u shpreh se “nuk është befasi që SHBA-ja kërkon njohjen e ndërsjelltë të Serbisë dhe Kosovës dhe se ky është pozicioni i politikës së jashtme amerikane”. Selakoviç shtoi, se “SHBA ka një pozicion për të cilin këmbëngul, por edhe Serbia e ka pozicionin e vet për të cilin insiston”.

Mjaft analistë sakaq e shohin këtë mesazh dhe faktin që ai u dërgua pikërisht në Ditën e Shtetit të Serbisë, si shenjë se Biden po i bën presion Beogradit. Në shumicën e reagimeve në Serbi theksohet, se qëndrimi amerikan për njohjen e ndërsjelltë është i pritur dhe se është iluzion të mendosh se fuqitë e mëdha botërore do të ndryshojnë pozicionin e tyre për çështjen e Kosovës.

Komentatori i politikës së jashtme Boshko Jashkiç thotë për DW, se “kjo fjali nënkupton atë që ne të gjithë e dinim, dhe kjo është se administrata e Bidenit në bashkëpunim me Gjermaninë, vetëm sa do të shtojë presionin ndaj Serbisë.” Jakshic e sheh reagimin e autoriteteve serbe, në veçanti atë të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si “pranimin e tij të sinqertë se situata nuk është e këndshme për të”.

Top Channel