Hipopotamët e Pablo Escobar/ Kolumbi, “kërcënojnë ambientin, duhen vrarë”

10/02/2021 11:59

Hipopotamët e importuar ilegalisht në Kolumbi, në vitet ‘80, për kopshtin zoologjik privat të ish-mbretit të drogës, Pablo Escobar, jetojnë tani në gjendje të egër dhe janë shtuar ndjeshëm në dekadat e fundit, aq sa po përbëjnë një kërcënim serioz për biodiversitetin.

Alarmi është lëshuar nga një grup shkencëtarësh, sipas të cilëve, këto kafshë duhet të eleminohen para se të shfarosin të gjithë florën dhe faunën lokale.

Eskobari kishte ngritur edhe një kopsht zoologjik në fortesën e tij të madhe, Hacienda Napoles, në Doradal, me rinocerontë, elefantë, gjirafa, hipopotamë dhe kafshë të tjera ekzotike. Kur ai u vra, në 1993, shumë nga këto kafshë, u transferuan diku tjetër ose ngordhën, por hipopotamët u braktisën edhe për shkak të kostos së lartë dhe problemeve logjistike të lidhura me transportin e tyre.

Tentativat e shumta të qeverisë për të kontrolluar popullatën e tyre, kanë dështuar dhe përllogaritet se vetëm në tetë vitet e fundit numri i tyre është rritur nga 35 në 65 ose 80 ekzemplarë. Sipas një studimi të këtyre shkencëtarëve, të publikuar muajin e kaluar në revistën “Biological Conservation”, veç të tjerash, mund të arrijë në kuotën 1500 brenda vitit 2035.

Por sidoqoftë, ideja për të eleminuar hipopotamët ka ndezur edhe kritika nga popullata lokale, që tashmë i konsideron ata banorë të përhershëm.

 

Top Channel