Barcelona e largoi si të panevojshëm vjeshtën e vitit të kaluar, por Luis Suarez po konfirmon nga java në javë se ka ende shumë për t’i dhënë futbollit dhe falë paraqitjeve të tij, Atletico e Madridit po vrapon drejt titullin kampion.

Sulmuesi uruguaian shënoi dy herë mbrëmjen e sotme në “Wanda Metropolitana” dhe përmbysi avantazhin fillestar të Celta Vigos, megjithatë kjo nuk mjaftoi që Atletico Madrid të marrë tre pikët, pasi miqtë barazuan pak para vërshëllimës finale.

Sfida ndaj Celtës pritej të ishte e vështirë për djemtë e Simeones dhe ashtu rezultoi edhe në fushë, pasi miqtë gjetën golin e avantazhit në minutën e 13’ me anë të Santi Minës, megjithatë reagimi i Los Colchoneros ishte mjaft i mirë.

Kështu në minutën e fundit të pjesës së parë ishte Llorente që shërbeu për Suarez dhe uruguaiani nuk e pati të vështirë të shtyjë topin në rrjetë duke rikthyer baraspeshën.

Menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, sulmuesi uruguaian dërgoi për herë të dytë topin në rrjetë, duke shënuar golin e 16 sezonal në kampionat dhe duke i dhënë avantazhin Atleticos, megjithatë Celta barazoi shifrat pak para fundit dhe mori një pikë me mjaft vlera.

Me barazimin e marrë sot Atletico blindon pozitat në krye me 51 pikë, 8 më tepër se ndjekësit më të afërt, Barcelona e Reali i Madridit, diferencë që mund të thellohet edhe më shumë, pasi Los Colchoneros kanë luajtur një ndeshje më pak deri tani.

Top Channel