Kanadaja kritikohet për përdorimin e “programit të vaksinave COVID-19 për shtetet e varfra”

08/02/2021 09:15

Kanadaja, një ndër vendet më të pasura në botë, kritikohet për shkak të përdorimit të programit të krijuar për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit  për vendet e varfra.

Ish i dërguari special për HIV/AIDS i Kombeve të Bashkuara (OKB) në Afrikë, Stephen Lewis, në një program në kanalin CTV të Kanadasë, vlerësoi zhvillimet lidhur me programin e vaksinave COVAX, ku edhe Kanadaja është partnere.

Sipas Anadolu Agency, ai rikujtoi se COVAX është një njësi e financuar nga Kanadaja dhe partnerë të tjerë për të shpërndarë vaksina në vendet e varfra që nuk mund të konkurrojnë me vendet e pasura.

Lewis tha se Kanadaja e përdor këtë program në dobi të saj, duke shtuar se kjo është gabim dhe se Kanadaja është vendi i parë që e ka bërë këtë.

“Është moralisht e gabuar që Kanadaja të marrë 1,9 milion vaksina nga ky program” theksoi Lewis.

Ai tha se Kanadaja që nga 5 shkurti ka vaksinuar me dozën e parë mbi 884 mijë persona ose 2,3 për qind të banorëve, duke tërhequr vëmendjen se kjo shifër është më e lartë se ajo e zbatuar në kontinentin e Afrikës, që ka 37 herë më shumë banorë se Kanadaja.

Për COVAX, që u themelua në muajin korrik të vitit të kaluar, Kanadaja investoi 440 milionë dollarë. Qeveria kishte njoftuar se gjysma e parave do të shpenzohen për të siguruar 15 milionë doza të vaksinave për kanadezët, ndërsa gjysma tjetër do të përdorej për të blerë vaksina të nevojshme nga 92 vende në zhvillim, përfshirë Afganistanin, Malin dhe Haitin.

Qeveria federale gjithashtu kishte njoftuar se vendi deri në fund të qershorit nëpërmjet COVAX do të marrë të paktën 1,9 milion dozë nga vaksina Oxford-AstraZeneca.

Kryeministri Justrin Trudeau ka mbrojtur vendimin dhe tha se Kanadaja do të vazhdojë me përpjekjet për kontribut në program si dhe sigurim të vaksinës për vendet të ardhura të ulëta.

Top Channel