‘Darsi’ gjunjëzon Evropën/ Holanda shpall emergjencën pas stuhisë së borës

08/02/2021 15:20

Autoritetet në Holandë kanë shpallur gjendjen e rrallë të emergjencës, kodin e kuq, për të gjithë vendin, pasi ai u godit nga e para stuhi bore e fortë në më shumë se një dekadë.

Stuhia Darcy, që ka bërë që temperaturat të bien shumë në Gjermani, është shoqëruar me erëra që kapnin shpejtësinë e 90 km në orë dhe e kanë ulur mërkurin në termometër deri në -5 gradë celcius.

Dhjetëra fluturime janë vonuar apo anuluar në aeroportin e Amsterdamit ndërsa në atë të Eindhovenit në jug, shërbimet janë ndalur tërësisht. Të gjithë trenat u ndaluan në Holandë, përfshirë shërbimet ndërkombëtare drejt Gjermanisë. Në Amsterdam u ndalën edhe tramvajet. Drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të evitojnë udhëtimet dhe më shumë se 80 makina raportohet se kanë dalë nga rruga. Kushtet e motit ishin aq të rënda sa që qeveria holandeze mbylli edhe qendrat e testimit për ditë të tëra. Rreth 10 ditë temperatura nën zero priten në Holandë, ç’ka ka rritur shpresën për patinazh në vendin e fiksuar pas tij, në kanalet që pritet të ngrijnë.

Kryeministri Mark Rutte, ka thënë se patinazhi në akull do të lejohet nëse kanalet ngrijnë për të parën herë që nga 2018, por ka paralajmëruar për respektimin e distancës sociale. Holanda ka ndalur kampionatin e futbollit, ashtu siç ka bërë edhe Gjermania me Bundesligën. Reshjet e borës në gjermani bënë që të ndalen trenat dhe të anulohen shërbimet mes qyteteve. Trashësia e borës shkoi deri në 30 cm dhe shkaktoi probleme në trafik, me qindra aksidente të regjistruara. Shumë makina kanë mbetur të bllokuara në borë ndërkohë që reshje të tjera priten edhe në vijim.

Belgjika, po ashtu është mbuluar nga bora ndërkohë që temperaturat pritet të bien sërish. Edhe pjesa më e madhe e Britanisë Lindore është prekur po ashtu nga stuhia Darsi.

Top Channel