Afganistan, shkarkohet një shef i policisë për vrasjen e 11 protestuesve

08/02/2021 18:11

Ministria e Punëve të Brendshme e Afganistanit ka pushuar nga puna një shef të policisë rajonale për vrasjen e të paktën 11 civilëve gjatë një proteste.

Të shtënat e 29 janarit në rrethin Behsud të provincës qendrore Maidan Wardag shkaktuan zemërim në pakicën etnike shiite Hazara, pas çka autoritetet nisën një hetim.

Duke i njoftuar detajet e komisionit për gjetjen e fakteve, ministria afgane tha se protestuesit ishin të paarmatosur kur shpërtheu përleshja vdekjeprurëse.

Ministria afgane njoftoi se shefi i policisë provinciale, Allah Dad Fedaey, është dërguar në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për veprime të mëtejshme ligjore.

Fillimisht, më parë, policia afgane njoftoi se disa burra të armatosur, të lidhur me komandantin lokal Abdul Ghani Alipur, kishin penguar emërimin e një shefi të ri të policisë së rrethit dhe ishin përfshirë në përleshje me forcat e sigurisë që shkaktuan vrasjet.

Alipur u arrestua dy vjet më parë me pretendimin për abuzime të pakicës etnike Pashtune në provincë, por më vonë u lirua kur pohoi se do të bashkëpunojë me qeverinë.

Anëtarët e komunitetit shiit Hazara akuzuan qeverinë për mosveprim në lidhje me të shtënat në Behsud.

Mehdi Rasikh, një anëtar i dhomës së ulët në provincë, tha se qeveria po përpiqet të politizojë çështjen. Ai pretendoi se dy javë më parë gjatë përleshjeve të paktën 42 civilë u plagosën dhe u vranë.

Në një raport në fillim të këtij muaji, Komisioni i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Afganistan tha se gjatë vitit 2020 rreth 2.958 civilë u vranë dhe 5.542 të tjerë u plagosën.

Top Channel