Deputetja Rudina Hajdari ka shpjeguar arsyen përse zgjodhi të shërbente në tregun e Përrenjasit gjatë ditës së sotme.
Hajdari bëri një status në Facebook ku shpjegoi se synimi është që të promovohen vlerat e shoqërisë dhe të lartësohet figura e njerëzve që fitojnë bukën e gojës me djersën e ballit.
Ajo theksoi se misioni i saj është që të rikthejë dinjitetin e ndershmërisë.
Postimi i plotë: Arsyeja pse sot vendosa të shërbeja në tregun e Përrenjasit është vetëm një dhe shumë e thjeshtë: Të lartësoj dhe vlerësoj sa më shumë figurën e njerëzve që bukën e gojës e fitojnë me djersën e ballit.
Jetojmë në një vend ku politika i përulet krimit. Bandat dhe mafia kanë kontroll absolut mbi institucionet dhe fjala e tyre është ligj, e ligji bëhet sipas fjalës së tyre. Për rrjedhojë e gjithë struktura e vlerave të shoqërisë është deformuar.
Modeli në fshtarat, lagjet e qytetet tona nuk janë më intelektualët e njerëzit e ndershëm e parimorë, por matrapazët politikë që pasurohen shpejt me plaçkën shtetërore apo ata që shpërndajnë apo prodhojnë drogë.
Ndaj unë e ndiej nevojë absolute që ne ti rikthejmë vlerat shoqërisë e për këtë arsye do ta promovoj sot e mot çdo profesion të ndershëm, e do takoj çdo njeri të thjeshtë. E konsideroj veten deputete të popullit e jo shërbëtore partie.
Në fakt këtë duhet të bëjnë të gjithë edhe mediat. Në vend të konkubinave, lacave apo matrapazëve politikë të klasës së lartë duhet ti kthejnë sytë drejt modeleve të vërteta të shoqërisë. Këtë duhet ta bëjë çdokush që konsumon sadopak hapësirë publike.
Ky duhet të jetë misioni ynë i përbashkët. Ti rikthejmë dinjitetin ndershmërisë. Sigurisht që do goditemi, do baltosemi por në fund do fitojmë. Sepse jemi shumë dhe jemi të vendosur! Forca.
Ps: Për ata që shqetësohen dhe urojnë që unë të dekurajohem nga sulmet e balta: Uroj të keni durim, sepse unë sapo kam nisur e nuk jam njeri që dorëzohem. Quhem Rudina Azem Hajdari!!!
Top Channel