Paralizohet Gjermania/ Stuhi e madhe dëbore dhe temperatura nën zero

07/02/2021 19:53

Një stuhi bore dhe era e fortë është përplasur mbi Gjermaninë perëndimore të dielën, duke detyruar trenat që të ndalen, duke anuluar udhëtimet dhe duke shkaktuar qindra aksidente rrugore.

Policia tha se 28 persona ishin lënduar në rrugët e ngrira. Shërbimi gjerman i motit i kërkoi njerëzve të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe autoritetet i mblodhën të pastrehët në qendra të ngrohta në një kohë kur temperaturat kanë zbritur nën zero.

Operatori kombëtar i trenave Deutsche Bahn tha se trajektoret kryesore mes Hamburgut, Hanoverit e Berlinit, dhe pjesës perëndimore janë anuluar pasi akulli ka pushtuar shinat. Disa lidhje me tren në lindje janë anuluar po ahstu edhe pse sasia më e madhe e borës është regjistruar në veriperëndim. Policia në shtetin e Nord Rin Vestfalisë tha më herët të dielën se kishin regjistruar 222 aksidente për shkak të kushteve të këqija të motit dhe 28 persona ishin lënduar rëndë.

Në qytetin e Mynihut, mes më të goditurve, kishte aq shumë borë nëpër rrugë sa që autoambulancat nuk mund të kalonin dhe i gjithë transporti publik ishte i ndalur. Më shumë se 30 cm borë kanë rënë e madje në disa zona trashësia e borës shkonte në mbi 1 metër. Ndërkohë që meteorologët parashikojnë që akoma më shumë borë do të bjerë në orët në vijim. E ndërsa pjesa perëndimore e vendit ka ngrirë, gjermania jugore po përjeton temperatura thuajse pranverore.

Moti i pazakontë dhe hendeku mes temperaturave është shkaktuar nga një vorbull polare që po shtyn ajrin e akullit nga arktiku drejt Gjermanisë veriore në një kohë kur një rrymë presioni të ulët sjell mot të lagësht e të ngrohtë në jugperëndim.

Top Channel