Biden, Serbisë: Njihni Kosovën/ Vuçiç: Duan të na poshtërojnë deri në fund, por unë nuk do ta lejoj 

07/02/2021 19:47

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij të mbrojë interesat serbe.

Duke komentuar letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka dërguar atij me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, që shënohet me 15 shkurt, ku ai inkurajon Serbinë të ndërmarrë reforma dhe të “arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, Vuçiç tha se çështja e njohjes nuk përmendet në asnjë dokument. “E kam marrë urimin dhe e falenderoj.

Por për sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçiç, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë.

Vuçiç shtoi se Serbia është e gatshme dialog me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke respektuar pozicionin e SHBA-së, por edhe të Rusisë dhe Kinës, si dhe të vetë Serbisë. “Unë nuk do të lejojë që të poshtërohet Serbia dhe dikush të marrë gjithçka. Por, unë nuk do të gënjej popullin dhe të them se situata do të jetë e lehtë. Do të jetë gjithnjë e më e vështirë”, tha Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA