Laku sa vjen dhe po ngushtohet për abuzuesit seksualë, dhe kjo për faktin, se pas verifikimit nga ana e KQZ-së, së mijëra firmave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, është hedhur një hap i madh përpara drejt realizimit të Regjistrit Kombëtar të Abuzimeve Seksuale.

KQZ-ja i hapi tani rrugën, që draftligjin, që ne kemi përgatitur ta çojmë për miratim në parlament, me konfirmimin, që kjo është një kërkesë e 20 mijë qytetarëve shqiptarë.

Në fakt u mblodhën 22 mijë firma, dhe kjo i tejkaloi pritshmëritë tona, por kur vinte puna që I sqaronim për çfarë bëhej fjalë, njerëzit e firmosnin vetë, dhe njoftonin gjithë familjarët .

Abuzues seksualë, që janë dënuar me urdhër gjykate janë gjithsej 98, nga këta 50 vetëm në Tiranë. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Rasti I pedofilit nga Babrruja që punonte roje shkolle, do të thotë se këta njerëz, që tjetër janë dhe tjetër duken, mund të jenë të punësuar nëpër shkolla.

Një gjë, që do të bëjë regjistri, është që t’i ndalojë pedofilët të punojnë nëpër shkolla dhe institucione ku janë afër fëmijëve.

Ne kemi kërkuar, që regjistri të jetë publik, jo vetëm për institucionet, por edhe për individët, por kjo nuk do të thotë se në të mund të kërkojë kushdo. Unë p.sh. nëse do të kërkoj , do të jap gjeneralitetet e mia dhe numrin e identifikimit. Duhet të them arsyen pse po e kërkoj, si p.sh se një ish I dënuar po banon afër shtëpisë sime apo ka nisur punë aty ku punoj unë apo ku mësojnë fëmijët e mi.

Ligji parashikon penalitete për ata që kërkojnë pa arsye apo I keqpërdorin të dhënat për personin e dënuar për krim seksual”, thotë pedagogia dhe aktivistja, Iris Luarasi.

Top Channel