Jo më organizatë terroriste/ SHBA ndryshon përcaktimin e grupit rebel

06/02/2021 14:07

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë ta heqin përcaktimin e rebelëve Huthi në Jemen si grup terrorist.

Kjo ishte një nga lëvizjet e “minutës së fundit” të administratës së ish-presidentit, Donald Trump dhe vendimi i administratës së re po cilësohet si përgjigje ndaj krizës humanitare në këtë vend. Anëtarët e Kongresit janë njoftuar tashmë për planin në fjalë dhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit e konfirmoi vendimin në 5 shkurt. Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi me herët se Shtetet e Bashkuara do t`i japin fund mbështetjes së tyre për fushatën ushtarake saudite në Jemen, vendi që sot përjeton krizën më të madhe humanitare të globit.

OKB e përshëndeti vendimin e Washingtonit, i cili do të lehtësojë sipas saj sigurimin e mbijetesës për miliona jemenas që mbështeten tek ndihmat nga jashtë dhe importet tregtare. Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar krizën në Jemen si më të rëndën për shkak se në vendin më 29 milionë banorë, gati 80 për qind e popullsisë ka nevojë për një formë ndihme për mbijetesë. Zyrtarë të Departamentit të Shtetit e bënë të qartë se ky veprim u ndërmor “tërësisht” për arsye humanitare.

Top Channel