I riu i fshehur në rrotat e avionit mbërrin në Britani, shoku bie për vdekje në pistë

06/02/2021 19:29

Themba Cabeka dhe shoku i tij Carlito Vale morën përsipër rrezikun e jashtëzakonshëm duke u fshehur në rrotat e një avioni pasagjerësh për të mbërritur ilegalisht në Britani.

Nisma i kushtoi jetën Carlito Vale teksa Themba kujton sesi kuptoi se shoku i tij i udhëtimit ekstrem, kishte rënë për vdekje para se të uleshin në pistën e aeroportit Heathrow në Londër

Vetë Themba arriti të mbijetojë duke u fshehur në rrotën e avionit, ku provoi temperatura deri në -40 gradë.

Prej mungesës së oksigjenit në lartësi ai thotë se në shumicën e fluturimit 11 orësh, ishte pa ndjenja.

Edhe vetë Themba u detyrua të hidhej në pistë pas uljes së avionit. Këmba e tij u desh të gjymtohej dhe ai qëndroi në koma për disa muaj.

Para se vendoste të largohej nga Afrika e Jugut, Themba thotë se ka fjetur jashtë në rrugët e kryeqytetit Johannesburg për disa vjet.

Kështu që në 2015, u nis në kërkim të diçkaje më të mirë me mikun e tij Carlito Vale.

Asnjë prej tyre nuk mund të paguante për udhëtim apo viza, prandaj Themba nisi të studionte dizajnin e avionëve për të gjetur vendin më të mirë për t’u fshehur.

Ai thotë: “Ne kaluam gardhin e aeroportit. pastaj duhet të shkonim te rrota, të ngjiteshim lart dhe të fshiheshim brenda. Kur hymë brenda kompartimentit të rrotës, unë e sigurova veten mes dy hekurave. Nuk kisha frikë të bija sepse kisha besim”.

Levat e metalta ku Themba mbahej nxeheshin gjatë fluturimit dhe e lanë 31-vjeçarin me djegie të përhershme.

Por megjithatë, gjatë fluturimit ata provuan dhe mbijetuan temperatura të ulëta deri në -40 gradë.

Kur avioni po ngrihej Themba thotë se ishte “i relaksuar”.

“Ndjehesha i qetë. Nuk ishte dicka e madhe”, thotë ai, duke shtuar se bashkë me shokun e tij Carlito qëndruan në errësirë të plotë gjatë udhëtimit, dhe vetëm me zhurmën e motorëve që vibronin mes tyre.

“Gjithçka ndjenim ishte ajri dhe dridhja e motorëve.”

Themba shton se shpejt humbi ndjenjat nga mungesa e oksigjenit, dhe nuk kishte parë se kur kishte rënë miku i tij drejt vdekjes.

Themba thotë se mban mend bisedën e fundit me Carlito.

“Carlito më tha ‘ia hodhëm’, sigurisht që ia hodhën o shok’. Këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij pasi më pas humba ndjenjat. Mendoj përditë për bisedën tonë të fundit. Fatkeqësisht ai nuk është më, kështu që jam vetëm”.

Edhe vetë Themba ra nga avioni, por pas uljes së tij. Ai thotë se u zgjua nga agonia e tij prej forcës së përplasjes në asfalt.

Nga rënia e tij u detyrua të gjymtonte këmbën.

Ai shton: “U zgjova dhe pashë dy njerëz që po thërrisnin ‘Ai u hodh nga avioni!’ Ata më pas më arrestuan dhe më dërguan në spital. Gjashtë muaj qëndrova në gjendje kome”.

Megjithë trimërinë e tij Thembas i është mohuar azili dhe nisi të endej nëpër rrugët e Liverpool, derisa një 21 vjeçar i shokuar nga historia e tij, e strehoi dhe krijoi një faqe kontributesh për ta ndihmuar.

Themba thotë se megjithë pasojat, udhëtimi i tij ia vlente, por nuk do ta përsëriste.

“Unë po përpiqesha të mbijetoja, por nuk do ta bëja përsëri.”

FOTO GALERI
1/4
Themba Cabeka dhe shoku i tij Carlito Vale morën përsipër rrezikun e jashtëzakonshëm duke u fshehur në rrotat e një avioni pasagjerësh

Top Channel