Doktoresha heroike dhe 3 pacientë vdesin nga zjarri tragjik në spitalin Covid (fotot)

06/02/2021 18:20

Një doktoreshë e re dhe tre pacientë të saj me Covid-19 kanë vdekur nga zjarri i shkaktuar nga shpërthimi i oksigjenit në një spital në Ukrainë.

Mjekja heroike 26 vjeçare Olha Hliva, qëndroi e vendosur për të shpëtuar pacientët e saj me moshë nga 69 deri në 90 vjeç, pasi shpërthimi ndezi në flakë të gjithë repartin.

Ajo nuk i braktisi pensionistët e pashpresë të lidhur në ventilatorë frumëmarrjeje, dhe u përpoq t’i nxirrte nga dhoma që digjej.

“I gjithë reparti është djegur”, tha një prej zjarrfikësve që punuan në vend ngjarje, në qytetin Zaporizhia në juglindje të Ukrainës.

Hetuesit thanë se rrjedhja e oksigjenit në një prej ventilatorëve shkaktoi shpërthimin deh zjarrin që pasoi.

Viktimat kishin vdekur të gjithë nga djegiet, pasi ishin bllokuar në repartin që digjej.

Ministri ukrainas i shëndetësisë Maksim Stepanov tha: “Zjarri u përhap shpejt dhe viktimat, shumica e të cilëve të paaftë për të lëvizur, nuk kishin shanse shpëtimi”.

Policia tha se kishte arrestuar personin përgjegjës për pajisjet mjekësore dhe për sigurinë ndaj zjarrit në spital.

Miqtë e shumtë të Olha Hliva i bënin homazhe doktoreshës së talentuar në rrjetet sociale, duke thënë se ‘mjekësia ishte pasioni i saj, të cilës i qëndroi besnike deri në fund”.

 

FOTO GALERI
1/7
Një doktoreshë e re dhe tre pacientë të saj me Covid-19 kanë vdekur nga zjarri në një spital në Ukrainë.

Top Channel