Rusia shpall 3 diplomatë të BE-së “persona të padëshiruar”

05/02/2021 21:01

Rusia shpalli sot 3 diplomatë të BE-së “persona të padëshiruar” për pjesëmarrjen në tubimet e fundit të paautorizuara në Moskë dhe Shën Petersburg.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë në një deklaratë me shkrim tha se diplomatët nga Suedia, Polonia dhe Gjermania duhet të largohen nga Rusia sa më parë.

Në deklaratë shtohet se nota përkatëse iu dorëzuan shefave të misioneve diplomatike të këtyre vendeve.

“Tek diplomatët u dërgua notë proteste në lidhje me pjesëmarrjen e regjistruar të stafit diplomatik të Konsullatave të Përgjithshme të Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Polonisë në Shën Petersburg dhe Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Moskë në demonstrata të paligjshme më 23 janar 2021. U theksua se veprime të tilla nga ana e tyre janë të papranueshme dhe nuk korrespondojnë me statusin e tyre diplomatik“, thuhet në deklaratë.

Pala ruse pret që në të ardhmen misionet diplomatike të Suedisë, Polonisë dhe Gjermanisë dhe personeli i tyre do të ndjekin me përpikëri normat e së drejtës ndërkombëtare.

Më 23 dhe 31 Janar, në Rusia u organizuan disa tubime, të cilat nuk ishin të autorizuara nga autoritetet, në mbështetje të politikanit opozitar Alexey Navalny. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, mbi 5 mijë persona u arrestuan në të gjithë vendin, shumica e të cilëëve në kryeqytetin Moskë, (1.608 të arrestuar) dhe në Shën Petersburg (1.122 persona).

Një gjykatë në Moskë të martën dënoi Navalny-n me dy vjet e tetë muaj burg për shkelje të lirimit me kusht. Navalny u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa avokatët e tij thanë se do të apelojnë dënimin.

Në vitin 2014, Navalny u dënua për mashtrim dhe përvetësim, por dënimi i tij u pezullua dhe u zëvendësua me gjashtë vjet lirim me kusht.

Ai u arrestua në Moskë më 17 janar pas kthimit të tij nga Gjermania ku ai kishte marrë trajtim pas një helmimi të pretenduar, ku autoritetet gjermane pretenduan se ai është helmuar me agjentin nervor Novichok.

Top Channel