Rritje e shifrave të Covid në vend, Presidenti Meta thirrje qytetarëve: Mos ulni vigjilencën, zbatoni rregullat antiCovid

05/02/2021 18:59
Presidenti Ilir Meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta, me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan për situatën e pandemisë në vendin tonë, ku shifrat e infektimeve dhe humbjeve të jetëve rriten dita ditës.

Meta i bën thirrje qeverisë që çdo qytetarë të trajtohet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Presidenti thotë se nevojitet një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, si dhe ju bënë thirrje qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCovid.

Postimi i plotë:

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.
Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.
Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.
Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.
Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.
Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.
Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.
Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.
Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.
Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.

Top Channel