Regjistrimi i partive të djathta/ Murrizi, Topalli dhe Patozi shkojnë në KQZ

05/02/2021 15:08

Opozita e bashkuar përjetoi  krisjen e parë zyrtare këtë të premte, pasi  PDIU e Shpëtim Idrizit  është  e para parti e frontit opozitar, e cila u regjistrua si subjekt politik në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Mungesa e një marrëveshje me Lulzim Bashën duket se ka nxitur Shpëtim Idrizin të rrisë presionin ndaj aleatit të madh dhe të marrë masat për një skenar B.

Nëse Partia Demokratike nuk vlerëson peshën elektorale të partisë së tij dhe nuk i siguron më shumë se nje vend të sigurtë të lista, atëherë Idrizi   do vijojë rrugëtimin drejt 25 Prillit e vetme. E shtuna pritet të sqarojë më shumë pozicionin e dy aleatëve pas një takimi të mundshëm mes dy krerëve të partive, ndërkohë shansi për tu bashkuar nëse nga negociatat rezulton  tym i bardhë, është data 24 shkurt ditë e përcaktuar për regjistrimin e koalicioneve sipas formulës së diktuar nga kodi zgjedhor.

As  partitë e reja të djathta  nuk humbën kohë.  Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi dhe Myslim Murrizi   regjistruan  subjektet e tyre politike.

KQZ  regjistroi 6 parti te vogla , dikur aleate  të Bashës,  të cilat gëzuan mandatin pasi  PD-LSI  braktisën Parlamentin, si dhe pranoi kërkesën e dy kandidatëve të pavarur. Mesi i shkurtit  është afati përfundimtar për regjistrimin e partive politike, ndërkohë deri me 24 shkurt duhet të regjistrohen koalicionet. Më 6 mars partitë duhet të dërgojnë listën me emrat e kandidatëve në KQZ.

Top Channel