Opozita e bashkuar përjetoi krisjen e parë zyrtare këtë të premte, pasi PDIU e Shpëtim Idrizit është e para parti e frontit opozitar, e cila u regjistrua si subjekt politik në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Mungesa e një marrëveshje me Lulzim Bashën duket se ka nxitur Shpëtim Idrizin të rrisë presionin ndaj aleatit të madh dhe të marrë masat për një skenar B.
Nëse Partia Demokratike nuk vlerëson peshën elektorale të partisë së tij dhe nuk i siguron më shumë se nje vend të sigurtë të lista, atëherë Idrizi do vijojë rrugëtimin drejt 25 Prillit e vetme. E shtuna pritet të sqarojë më shumë pozicionin e dy aleatëve pas një takimi të mundshëm mes dy krerëve të partive, ndërkohë shansi për tu bashkuar nëse nga negociatat rezulton tym i bardhë, është data 24 shkurt ditë e përcaktuar për regjistrimin e koalicioneve sipas formulës së diktuar nga kodi zgjedhor.
As partitë e reja të djathta nuk humbën kohë. Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi dhe Myslim Murrizi regjistruan subjektet e tyre politike.
KQZ regjistroi 6 parti te vogla , dikur aleate të Bashës, të cilat gëzuan mandatin pasi PD-LSI braktisën Parlamentin, si dhe pranoi kërkesën e dy kandidatëve të pavarur. Mesi i shkurtit është afati përfundimtar për regjistrimin e partive politike, ndërkohë deri me 24 shkurt duhet të regjistrohen koalicionet. Më 6 mars partitë duhet të dërgojnë listën me emrat e kandidatëve në KQZ.
Top Channel