Paratë po “kyçen” në banka/ Durrësi, Elbasani kursejnë më shumë. Korça dhe Shkodra më pak

05/02/2021 15:29

“Kriza që ka shkaktuar pandemia ka bërë që individët dhe bizneset, të pasigurt për të ardhmen të “kyçin” paratë e tyre në banka. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, stoku i kursimeve të shqiptarëve arriti në nivele rekord në 1.29 trilionë lekë apo rreth 10.5 miliardë euro.”

Kjo tendencë në rritje e depozitave është përshpejtuar kryesisht pas nisjes së pandemisë në Mars të vitit të kaluar, e që prej asaj kohe kanë ardhur duke u shtuar ndjeshëm deri në fund të Dhjetorit.

Krahas pasigurive, ky trend në rritje i depozitave lidhet kryesisht edhe me vendosjen e masave bllokuese, ku shumë shqiptarë nuk arritën të kalojnë kufijtë as për pushime duke bërë që të ulin shpenzimet e të kursejnë më tepër.

Vitin e kaluar, depozitat janë orientuar kryesisht nga ato në lekë që shënuan një rritje prej 11% kundrejt vitit 2019 apo rreth 51 miliardë lekë, ku rritje të konsiderueshëm kanë parë kursimet e individëve.

Shtim të ndjeshëm kanë parë edhe depozitat në monedhë të huaj kryesisht në euro me rreth 6% kundrejt vitit 2019, e cila është ndikuar më së shumti nga shtimi i parave në llogaritë rrjedhëse. Një dëshmi kjo që shqiptarët preferojnë të tregojnë kujdes e të mund t’i tërheqin ato në çdo moment që iu nevojiten.

Sa i takon të dhënave sipas rretheve, rezulton se kryeqytetasit kanë shtuar më shumë kursimet e tyre, ndjekur nga qytetarët e Durrësit dhe Elbasanit që kanë rritur ndjeshëm depozitat bankare.

Ndërsa ata që kanë kursyer më pak gjatë vitit të pazakontë të 2020-ës  sipas statistikave janë korçarët dhe qytetarët e Shkodrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA