Laçi është macja e zezë e Vllaznisë në këtë sezon të Kategorisë Superiore. Kurbinasit i mposhtën sërish shkodranët këtë herë në Loro Boriçi në sfidën që hapi javën e 18-të të Kategorisë Superiore të fundit për fazën e dytë.
Një sukses me shifrat 1-2 për skuadrën e Shpëtim Duros nën shenjën e dy sulmuesve me origjinë afrikane Kyrian Nëabueze protagonist kryesor me një gol dhe një asist dhe Dave Harmon që shënoi golin e fitores dhe të 3 pikëve për Laçin.
Një sukses shumë i rëndësishëm për skuadrën e Shpëtim Duros që u ngjit në vendin e 2-të në kuotën e 30 pikëve, duke ringjallur shpresat në garën për titull pasi tashmë Vllaznia është vetëm 7 pikë larg. Pas një pjese të parë pa gola pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati u zhbllokua në minutën e 59-të nga Kyrian Nëabueze, i cili shfrytëzoi asistin e Julian Shehut.
Por festa e laçianëve zgjati fare pak pasi në minutën e 66-të erdhi kundëpërgjigjia e Vllaznisë, që barazoi shifrat me Demir Imerin. Tentativa nga distanca e Krujës u ndal nga shtylla ndërkohë që Imeri u gjend në vendin dhe në kohën e duhur për të shtyrë topin drejt rrjetës. Por në momentin të mirë të Vllaznisë kur skuadra e Brdaric po shikonte më shumë drejt portës së shkodranëve një kundërsulm i shpejtë i Laçit ishte vrastar me Nëabuezen që ftoi në aksion të ardhurin në fushë nga stoli Dave Harmon, i cili dogji me shpejtësinë e tij Gurishtën dhe mposhti për herë të dytë në këtë sfidë portierin Zogovic.
Emocionet nuk kishin fund në pjesën e dytë pasi një largim i gabuar i topit nga ana e Shehit, detyroi Obanor të pengonte Demir Imerin i cili po dilte i vetëm përpara portës, me gjyqtarin Cjapi që e ndëshkoi me karton të kuq nigerianin e kurbinasve. Por pavarsisht kësaj Laçi rezistoi fort deri në fund duke marrë tre pikë të arta dhe duke rihapur kampionatin, pasi me këtë fitore nuk i bëri nder vetëm vetes por edhe skuadrave të tjera ndjekëse si Partizani, Teuta e Kukësi.
Top Channel