Kuroi Navalnyn pas helmimit/ Vdes ‘papritur’ mjeku që dinte detajet

05/02/2021 12:07

Mjeku i spitalit në Omsk, ku u trajtua fillimisht politikani opozitar Aleksei Navalny pas helmimit me agjent nervor, raportohet të ketë ndërruar jetë papritur.

Ministria ruse e Shëndetësisë tha se Sergei Maksimishin, zëvëndës-shef për anesteziologji dhe reanimacion në këtë spital, ka vdekur nga një atak kardiak. Navalny e mori këtu ndihmën e parë pas helmimit në muajin gusht, dhe mjeku 55 vjecar ishte ai që dinte detajet mbi atë episod.

Spitali tha se Maksimishin “ka vdekur papritur”, sipas një deklarate të cituar nga CNN. Navalny u shtrua fillimisht në spitalin e Omskut pasi u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsku në Moskë. Lideri opozitar më pas u vendos në komë të induktur dhe u dërgua në Gjermani ku kaloi pesë muaj derisa e mori veten plotësisht.

Testimet në Europë e kanë vërtetur plotësisht se ai është helmuar nga agjent nervor të familjes Noviçok. Pas kthimit në Rusi muajin e kaluar, Navalny u ndalua  dhe këtë javë mori dënim me gati tre vjet burg për shkelje të lirimit me kusht. Burgosja e tij është dënuar ashpër ndërkombëtarisht, duke përfshirë reagimet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Top Channel