Gruaja 95 vjeçare akuzohet për vrasjet në kampin nazist të Stutthof

05/02/2021 18:23
Memoriali ne vendin e kampit te Stutthof

Një grua 95-vjeçare që ka punuar më parë si sekretare në një kampin nazist përqendrimi është akuzuar sot në veri të Gjermanisë për pranim dhe ndihmesë në vrasje masive .

Gruaja e identifikuar vetëm si Irmgard F dhe jeton në Pinneberg pranë Hamburg, është akuzuar në lidhje me më shumë se “10,000 raste vdekjesh”.

Ajo ka qenë sekretarja e komandantit të njësisë naziste SS në Stutthof, një kamp brutal të burgosurish pranë Gdansk në Poloni, ku rreth 65,000 të burgosur kanë vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Roli i saj në masakra është ende duke u hetuar.

Kampi i Stutthof është krijuar në 1939, në Poloninë e pushtuar nga nazistët, dhe llogaritet se ka nisur përdorimin e dhomave të gazit në qershor 1944. Ushtra sovjetike e cliroi atë në maj 1945, teksa lufta po mbaronte.

Rreth 100,000 njerez janë mbajtur Stutthof në kushte mizore – shumë prej të cilëve vdiqën nga sëmundjet dhe uria. Disa të tjerë janë vrarë në dhoma gazi ose me injeksione fatale.

Të burgosurit ishin hebrej, polakë jo-hebrej dhe ushtarë rob sovjetikë.

Rasti po gjykohet nga gjykata e të miturve në Schleswig-Holstein pasi në kohën e krimeve të saj e akuzuara ishte nën 21 vjeç prandaj konsiderohet minorene.

Ajo pretendon se nuk ka parë kurrë në kamp njerëz që vriteshin në dhoma gazi.

Rasti konsiderohet i pazakontë pasi shumë pak gra janë gjykuar për mizori në kampet naziste, dhe shumica e padive janë fokusuar në rojet dhe jo te sekretaret, shkruan gazetari i BBC, Damien McGuinness nga Berlini.

Prokurorët kishin marrë në pyetje Irmgard F për çështjen që prej vitit 2016, madje kanë intervistuar të mbijetuar të kampit Stutthof në disa vende, shkruan rrjeti gjerman ARD.

Gruaja akuzohet se “ka asistuar në kamp njerëz përgjegjës për vrasjet e të burgosurve, partizanëve polakë dhe ushtarëve sovjetikë, me funksionin e saj si stenografe dhe sekretare e komandantit” nga qershori 1943 deri në prill 1945.

Ish-komandanti i kampit Paul Werner Hoppe u dënua me nëntë vjet burg në Bochum në 1957.

Vitin e kaluar Bruno Dey, 93 vjeç, ish-roje në Stutthof, mori dy vjet dënim të pezulluar në Hamburg për bashkëfajësi në vrasje.

Top Channel