Biden: Amerika është kthyer/ Presidenti shpalos vizionin për politikën e jashtme

05/02/2021 00:44

Presidenti amerikan, Joe Biden, të enjten premtoi një angazhim të rinovuar të SHBA me botën ndërsa përshëndeti diplomatët në Departamentin e Shtetit.

Amerika është kthyer, diplomacia është kthyer-tha ai para zyrtarëve, i shoqëruar nga zëvendëspresidentja Kamala Harris.

‘Unë sot do t’i jap botës një mesazh të qartë. Amerika është kthyer. Diplomacia është kthyer. Ju jeni qendra e gjithë asaj që unë do të bëj’- tha Biden.

Më pas Biden, njoftoi edhe qëllimin e tij për të rritur ndjeshëm kufirin e pranimit të përvitshëm të refugjatëve në SHBA, që nën Donald Trump ra në një nivel historik të ulët. Në linjë me premtimet e tij e elektorale, Biden tha se ai do të vendosë një kufi prej 125 mijë pranimesh në kuadër të programit të sistemimit të refugjatëve në vend, kundër 15 mijëve që ishin lejuar për vitin aktual fiskal.

‘Unë po miratoj një urdhër ekzekutiv për të filluar punën e vështirë të rikthimit të programit tonë të pranimit të refugjatëve për të ndihmuar në plotësimin e nevojës së paprecedenttë globale. Do të duhet kohë për të rindërtuar atë që është dëmtuar rëndë. Por kjo është ekzaktësisht ajo që unë do të bëj’- tha Biden.

Biden tha se ia ka bërë të qartë presidentit Rus Vladimir Putin, se ditët kur SHBA qëndronte e heshtur përballë veprimeve agresive të Rusisë, ndërhyrjes së saj në zgjedhjet amerikane, sulmet kibernetike, helmimit të qytetarëve të saj, kanë përfunduar. Ne – tha ai – nuk do të hezitojmë të rrisim koston mbi Rusinë dhe të mbrojmë interesat tona jetësore. Në fjalimin e tij të parë politik në Departamentin e Shtetit, Biden premtoi po ashtu se SHBA do të përballen me autoritarizmin në rritje të Kinës dhe Rusisë.

Top Channel