Akuza për nxitje të dhunës/ Trump refuzon: Nuk dëshmoj në Senat!

05/02/2021 11:03

Avokatët e ish-Presidentit Donald Trump hodhën poshtë kërkesën e demokratëve që ai të dëshmojë në gjyqin e Senatit mbi akuzat për nxitje të rebelimit lidhur me sulmin e ndaj Kapitolit në 6 janar.

Këshilltari i Trumpit, Jason Miller e bëri të qartë se “presidenti nuk do të dëshmojë në një proces antikushtetues”.

Së bashku me avokatët Bruce Castor dhe David Schoen, e quajtën kërkesën një “lojë të marrëdhënieve me publikun”. Të dy ata këtë javë hodhën poshtë akuzën për nxitje të rebelimit dhe thanë se pretendimet e tij se humbja në zgjedhje ishte rezultat i mashtrimit të përhapur, ishin të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes.

Prokurorët nga njëra anë dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit, nga ana tjetër, po paraqesin argumentet për rolin e zotit Trump në trazirat e 6 janarit në Kapitol ku vdiqën pesë persona si dhe mbi ligjshmërinë ose jo të gjykimit. Ata po debatojnë gjithashtu rreth Amendamentit të Parë të Kushtetutës dhe rreth qëndrimit të prerë të demokratëve se trazirat përbënin një kërcënim për tranzicionin presidencial në vend.

Prokurorët që kanë ngritur akuzën pretendojnë se besnikët e zotit Trump, të nxitur prej tij, rrezikuan drejtpërdrejt sigurinë e ligjvënësve që u desh të largoheshin nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Senati kur protestuesit po hynin aty me forcë.

Top Channel