Tottenham Hotspur është zyrtarisht në krizë. Skuadra e Jose Mourinhos u mposht në derbin e Londrës nga Chelsea i Thomas Tuchel, në një ndeshje që u vendos nga një penallti e fituar nga Timo Werner dhe e kthyer në gol nga Jorginho në pjesën e parë.

Një gabim i Dier i dha mundësinë Chelsea-t të gjente epërsinë në minutën e 24-t në një ndeshje që Blutë e Londrës e luajtën më mirë sidomos në pjesën e parë ku ishin më kërkues dhe shpërdoruan disa raste shënimi.

Pa Harry Kane, Tottenhami nuk kishte forcën e duhur në sulm dhe në pjesën e dytë u shpëtua edhe nga Lloris në një tentativë të Mason Mount ndërkohë që Lamela dhe Carlos Vinicius iu afruan golit për vendasit e Tottenham.

Në fund festa ishte e gjitha për Chelsea-n që me suksesin minimal 0-1 mori fitoren e dytë radhazi dhe barazoi Evertonin në vendin e 6-të në kuotën e 36 pikëve, 3 më shumë se Spurs që tashmë kanë zbritur në vendin e 8-të.

Top Channel