Imuniteti nuk zgjat? Shtrohen në spital 2 mjekë në Kosovë, u infektuan për herë të dytë me koronavirus

04/02/2021 10:23

Riinfektimi i qytetarëve me Covid është një shqetësim që është ngritur së fundmi nga specialistët shëndetësorë të Kosovës.

Janë shtruar për herë të dytë në spital dy mjekë të Kosovës, pasi janë riinfektuar për herë të dytë me coronavirus.

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se riinfeksioni  me Covid 19,  si mundësi  ekziston por në praktikë është një dukuri e rrallë, duke shtuar se studimet po tregojnë që imuniteti kundër Covid-19 është i përqendrueshëm dhe zgjat me vite të tëra.

Shumica e riinfektimeve në Kosovë po e kalojnë lehtë sëmundjen, thonë profesionistët shëndetësorë.

Rukije Mehmeti, pulmologe i tha Radio Kosovës se vetëm në klinikën pulmologjike në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës,  aktualisht janë dy mjekë, të cilët po trajtohen nga riinfektimi me covid.

Në anën tjetër infektologu Ilir Tolaj bëri të ditur se riinfeksioni si mundësi  ekziston  por në praktikë është një dukuri e rrallë. Në gjithë botën janë të regjistruara një numër i vogël i rasteve, që tregon se imuniteti kundër  Kovid 19 është i qëndrueshëm dhe mjaftueshëm mbrojtës që të mos përsëritet infeksioni.

Sidoqoftë një studim i ri, i bërë në shkallë të gjerë në Britaninë e Madhe tregon se pas infektimit me COVID-19 imuniteti bie shumë më shpejt se sa mendohej, sidomos tek të moshuarit.

Po ashtu krijimi i antitrupave varet nga grada e sëmundjes së kaluar.

Për çudi numri i antitrupave ra më pak tek punonjësit e sistemit të shëndetësisë, gjë që tregon për përsëritje të infektimit ose ekspozim më të madh ndaj virusit të Koronës, thonë studiuesit.

Pra imuniteti zgjat disa javë ose disa muaj, dhe  kjo varet nga personi që infektohet.

Top Channel