62 vjeçari digjet nga zjarri në makinë pasi mbante gazin shkelur për të dalë nga dëbora (Fotot)

04/02/2021 21:48

Një shofer 62-vjeçar që mbante vazhdimisht gazin shkelur teksa përpiqej të nxirrte makinën e tij te ngecur ne një brez dëbore, është vrarë në New Jersey, SHBA teksa fuoristrada e tij u përfshi nga flakët e motorit.

Policia në qytezën e Little Ferry tha se autoritetet ishin thirrur dje herët për të nxjerrë një makinë të bllokuar në një rrëpirë të ulët me dëborë.

Kapiteni Ronald Klein tha se oficerët shkuan për ndihmë rreth makinës tip Mazda CX-5 ku shoferi vazhdimisht mbante gazin shkelur duke e tundur makinën para e prapa, për ta nxjerrë nga dëbora.

Policia tha se shoferi as që ua vuri veshin thirrjeve të oficerëve që trokisnin në xhamat e tij dhe tentonin ta ndalonin. “Ai nuk pushoi asnjëherë duke i dhënë gaz”, tha kreu i policisë vendase James Walters për mediat.

Oficerët më pas u kthyen te mjeti i tyre për të marrë pajisjet e tërheqjes, kur dëgjuan një zhurmë plasjeje dhe panë flakët që rrethuan nga poshtë mjetin e bllokuar.

Flakët u përhapën dhe oficerët tentuan pa sukses të hapnin makinën për të shpëtuar shoferin. Ata arritën të thyejnë një dritare por mjeti shpejt u rrethua nga zjarri dhe nuk mundën e të arrinin te njeriu.

Zjarri u fik vetëm pas ardhjes së zjarrfikësve por shoferi i mjetit ishte djegur aq sa nuk njihej.

“Ishte një skenë e tmerrshme”, tha Walters. Policia tha se ka njoftuar familjen e të ndjerit por po presin të dhënat dentare për identifikimin zyrtar.

“Është e çuditshme sesi mori zjarr në atë mënyrë. Ne nuk e dimë nëse është një ngjarje e dyshimtë apo jo. Ndodhi shumë shpejt”, tha shefi Walters.

FOTO GALERI
2/4
Policia tha se shoferi as që ua vuri veshin thirrjeve të oficerëve që trokisnin në xhamat e tij dhe tentonin ta ndalonin

Top Channel