Rriten infektimet me Covid-19 në Durrës, të prekur edhe mësues e nxënës

03/02/2021 12:51

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga festat e fundvitit, që u vlerësuan si faktor kryesor në rritjen e numrit të të infektuarve në javët e para të janarit, Durrësi vazhdon të regjistrojë numër të lartë të të infektuarve.

Sipas epidemiologëve, rënia e temperaturave dhe ulja e masave mbrojtëse ndaj Covid-19 ka ndikuar në këtë situatë.

Rastet e reja janë të shpërndara në zona dhe grupmosha të ndryshme të Durrësit që numëron mbi 1700 raste aktive. Ditët e fundit, ka pësuar rritje numri i të infektuarve në moshat e reja, të cilat janë dhe më të shpenguara në frekuentimin e lokaleve dhe mosrespektimin e distancave fizike. Në shkolla situata vazhdon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht, raportohet për 21 mësues dhe 14 nxënës të infektuar me Sars-Cov-2. Ndërkohë vihet re dhe mosrespektimi i mbajtjes së maskës në rrugë nga shumë persona.

Epidemiologët durrsakë theksojnë përdorimin e vazhdueshëm të maskës që nga momenti që dalim dhe deri kur kthehemi në banesë, ndërsa kërkojnë të mos neglizhohet asnjë simptomë dhe të kontaktohet mjeku i familjes.

Top Channel