Kryeministri Rama, inspektim në Shijak/ Vijon ndërtimi i shtëpive, pallateve, shkollave dhe kopshteve

03/02/2021 14:27

Shtëpi, pallate, shkolla dhe kopshte në rindërtim. Kjo është panorama e rilindjes pas tërmetit në Bashkinë e Shijakut, i cili përmes projekteve të reja po rikonceptohet tërësisht.

Kopshti nr.1 në këtë bashki është objekti arsimor më i ri, që dorëzohet i rindërtuar nga themelet me një infrastrukturë që mundëson çdo lehtësi dhe komoditet për vogëlushët e grupmoshave të ndryshme dhe stafin e edukatorëve që kujdesen për ta.

“Është kopsht me drekë, një infrastrukturë e munguar  deri tani në këtë qytet me kapacitet 120 deri në 150 fëmijë, me një sipërfaqe ndërtimi plot 1 mijë metër katrorë. Frekuentimi i kopshtit me drekë krijon më shumë komoditet tek prindërit, të cilët do të jenë më të qetë në punë e tyre, pasi kanë se ku t’i lënë fëmijët, gjatë orarit të punës pasi kopshti vazhdon deri në orët e pasdites. “- u shpreh kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri në kopshtin e ri.

Përveç stafit të edukatorëve, kopshtit nuk i mungon as personeli mjekësor, i përbërë nga një mjek dhe një infermier, si dhe përkujdesja sociale, e ofruar përmes shërbimit të punonjësit social dhe psikologut.

“Në 11 bashki po ndërtohen brenda një viti më shumë objekte arsimore sesa janë ndërtuar për 30 vite, në të gjithë Shqipërinë.”- u shpreh ministri Ahmetaj.

Njëkohësisht në Shijak ka nisur puna edhe me ndërtimin e banesave kolektive, pallateve. Kryeministri Rama vijoi inspektimin në zonën e quajtur lagja “Lugina” ku punohet pa pushim për të përfunduar ndërtimin në afatet e parashikuara.

“Paralelisht me objektet arsimore, ne kemi filluar punën edhe për ndërtimin e pallateve. Ky është një nga 9 pallatet që ka filluar në Bashkinë e Shijakut dhe ku punohet me orare të zgjatura. I gjithë Shijaku është kthyer në një kantier ndërtimi. Infrastruktura e ujësjellësit po bëhet e re në qytetin e Shijakut. Në lagjen “Lugina” ka përfunduar infrastruktura e brendshme dhe këto dy ditë nis edhe implementimi i lotit të parë prej 5 pallatesh. Vetëm në lagjen “Lugina” do të ndërtohen 21 pallate ku do të ketë mundësi të akomodohen rreth 400 familje, një sipërfaqe ndërtimi rreth 25 mijë metra katrorë, e cila brenda muajit shtator do të jetë   e përfunduar”, – shpjegoi kryebashkiaku Arbana, i cili shtoi se të gjithë qytetarët që kanë humbur shtëpitë po trajtohen me bonusqeraje, deri në momentin që do të marrin banesat e tyre të reja.

Ndërsa ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se “Shijaku ashtu si shumë qytete të tjera të dëmtuara nga tërmeti, jo thjesht rindërtohet, por rikrijohet. Koncepti i lagjes “Lugina” i jep qytetit një fizionomi krejt tjetër nga ajo që ka qenë në aspektin social, në aspektin ekonomik dhe urbanistik.” Sipas kryebashkiakut Arbana, 50% e punës në lagjen “Lugina” ka përfunduar, pasi edhe infrastruktura përben 50 % të punës dhe se “të gjithë banesat kolektive mbarojnē për 6 muaj nga dita që ato nisin.”

Edhe banesat individuale vijojnë paralelisht ndërtimin. Kështu në njësinë administrative Gjepalaj të Shijakut numërohen 20 shtëpi të përfunduara.

“Puna vijon edhe me banesat individuiale. Nga 567 banesa individuale deri tani, bashkë me ata që e kanë marrë grantin sipas VKM-së së fundit, kemi përfunduar rreth 450 dhe brenda muajit shkurt, të gjithë janë të përfunduara, – u shpreh Arbana. – Vetëm sot në njësinë administrative  Gjepalaj kemi rreth 20 objekte individuale të përfunduara”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel