Greqia në alarm nga Covid-19/ Rriten infektimet, 652 raste të reja vetëm në Athinë

03/02/2021 02:12

Autoritetet greke të shëndetit kanë njoftuar për një rritje dramatike të rasteve të koronavirusit në Athinë, duke nënvizuar se vetëm në kryeqytet janë konfirmuar 652 infektime të reja në 24 orët e shkuara nga gjithsej 1261 të prekur.

Numri shënon një rritje prej 50 për qindësh në krahasim me javën e kaluar. 126 raste ndërkohë u regjistruan në qytetin verior të Selanikut. Bëhet fjalë për një rritje serioze që nuk ka të bëjë shumë me variantet e reja që po shohim por me lodhjen dhe njerëzit që nuk respektojnë më rregullat”, thotë eksperti Gkikas Magiorkinis.

Ne prisnim një rritje prej 20 për qindësh të rasteve të reja për shkak të varianteve të reja, por në fakt jemi përballur me një rritje prej 50 për qind të infektimeve, çka flet shumë-tha ai. Deri më sot 2020 persona janë diagnostikuar në Greqi me variantet e reja të virusit. Të premten e kaluar qeveria njoftoi se do të rikthente kufizimet vetëm dy javë pasi kishte lejuar hapjen e dyqaneve pas dy muajsh mbyllje, si pjesë e një izolimi kombëtar që nisi më 7 nëntor. Vendimi erdhi pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve, javët e fundit.

Nga e shtuna, grekët kanë akses në dyqane vetëm nëse kanë një prenotim nën një sistem të njohur si Click Inside. Ata po ashtu mund të dalin nga shtëpitë vetëm nëse njoftojnë autoritetet përmes një mesazhi SMS. Që nga fillimi i pandemisë, numri i të infektuarve në Greqi ka shkuar në 158 716 ndërsa ai i viktimave 5851.

Top Channel