Në shkurt të vitit 2019, Fiks Fare, vëzhgoi disa ura në të gjithë Shqipërinë, ku një nder to ishte Ura e Zogut, e ndërtuar rreth 90 vite më parë.

Bashkë me inxhinierin Xhevair Ngjeqari, emisioni investigativ tregoi se Ura ishte lënë në mëshirë të fatit për një periudhë të gjatë, çka rrezikonte shembjen në rast të mos ndërhyrjes.

Dhe, plot 2 vite pas këtij denoncimi, Ura e Zogut, mbi lumin Mat, ka filluar të shkatërrohet. Disa këmbë të saj po shkatërrohen dita-ditës, teksa asnjë prej institucioneve nuk kanë ndërhyrë për rregullimin e kësaj situate.
Gazetarët e Fiks Fare vëzhguan nga afër urën apo edhe faktuan dëmtimet e saj. Një pjesë po fundosej dita-ditës dhe vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë këtë vepër.

Megjithëse prej 20 vitesh duhej të mbrohej nga shteti, sërish nuk është vënë asnjë dorë nga institucionet qendrore dhe lokale. “Pronari” i saj, Ministria e Kulturës, nuk ka bërë asnjë rehabilitim, ose të paktën konservimin e saj. Të gjitha dëmtimet u faktuan në denoncimin e Fiks Fare në vitin 2019, por problematika e ngritur, apo edhe apeli i inxhinierit Xhevair Ngjeqari, ranë në vesh të shurdhër. Askush nuk veproi!
Inxhinieri tha në atë kohë se nuk ka një urë të ngjashme në Europë dhe ajo duhej të kishte një mbrojtje të veçantë. Mund të bëhej një projekt për rivitalizimin e saj, funksionimin si një pikë turistike. Nëse urat në të gjithë Europën janë qindra mijëra vjeçare, në Shqipëri, edhe ato pak trashëgimi, po shkatërrohen. Dhe, më e keqja, askush nuk vepron.

Një nga shkaqet kryesore të shkatërrimit të këtij Monumenti të Kulturës janë edhe pikat e shumta që marrin inerte nga Lumi Mat. Jo më larg se 200 metra larg Urës me Harqe, është një pikë që merr inerte nga lumi. Denoncimet e shumta të Fiks Fare, Top Channel, apo edhe ankesave të banorëve, nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet.

Fiks Fare bisedoi me prefektin e Lezhës, z.Gjokë Jaku. Ai tha se është në dijeni të problematikës, madje ka ngritur edhe grupe pune për evidentimin e dëmtimeve. Z.Jaku ishte i drejtpërdrejt në akuza, teksa fajësoi Ministrinë e Kulturës e cila e ka lënë këtë monument në mëshirë të fatit. “Mbrohet nga shteti vetëm me letra. Për 30 vjet është lënë në mëshirë të fatit. Askush nuk ka ndërhyrë. Të paktën ta konservonin. Nëse vijon në këto kushte, ura do të shembet” paralajmëroi Jaku.

Ai fajëson direkt pikat që marrin inerte nga Lumi Mat. “Vetëm 4 janë me leje. 18 subjekte veprojnë pa leje, pasi iu është revokuar leja e shfrytëzimit. Dhjetëra të tjera janë në të zeze. Punojnë ditë e natë dhe askush nuk mban përgjegjësi” thotë ai. Më tej pohon se ka bërë 18 denoncime në Prokurorinë e Lezhës, por asnjë hetim nuk është bërë. Në fund thotë se pikat e inerteve, përveç Urës së Zogut, rrezikojnë edhe dy ura të tjera, Urën e Trenit dhe Urën e Autostradës. “U kam dërguar kërkesa dhe shkresa, por askush nuk ka reaguar. Nga Prokuroria, Ministria e Brendshme apo edhe IKMT. Kam bërë denoncime edhe me fotografi. Të gjithë heshtin” përfundon prefekti.

Top Channel