Arrestohet “tmerri” i bizneseve në Italinë veriore, si i fshihte gjurmët pasi kryente vjedhje

03/02/2021 14:32

Një shqiptar, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, është arrestuar ditën e djeshme nga policia italiane pasi akuzohet për vjedhje dhe është dënuar me 4 vjet e 9 muaj burg nga Gjykata e Milanos.

Vetëm gjatë vitit 2018, kreu 12 vjedhje në provincën e Pavias.

Hetimet zbuluan se personi i arrestuar i përkiste një organizate kriminale, të përbërë nga rreth dhjetë persona. Grupi kriminal kryente vjedhje që dëmtonin bizneset, ambientet e kujdesit për të moshuarit dhe shtëpitë private, njoftojnë mediat italiane.

Banda, përveç parave, vidhte ushqime, të mbajtura në depot dhe qilarët e azileve të pleqve, si dhe objekte të tjera. Pasi kryenin vjedhje, ata i vinin flakën automjeteve me të cilat lëviznin duke zhdukur cdo gjurmë.

Në përfundim të të gjitha procedurave, shqiptari u shoqërua me Burgun e Montacuto di Ancona.

Top Channel