“Tregu i zi” i rrjeteve sociale/ Hapen dhjetëra faqe me personazhet e “Për”puthen”, pasi sigurojnë mijëra fansa ato shiten

02/02/2021 20:06

Përputhen është fenomeni televiziv që këtë sezon në Top Channel ka arritur rekordet e shikueshmërisë por mbi të gjitha ka bërë që në të gjithë trevat shqiptare dhe jo vetëm ta ndjekin e ta duan këtë program të gjitha moshat duke njohur në këtë mënyrë më tepër rininë shqiptare.

Një sukses i arritur që padyshim gëzon Top Channel, e mbi të gjitha i jep arsye dhe shtysë për të vijuar me të njëjtin ritëm dhe dashuri punën e nisur më herët.

Megjithatë si çdo gjë pozitive edhe ndaj Përputhen ka palë të treta që veç televizionit dhe konkurrentëve kërkojnë të përfitojnë në mënyra të ndryshme me emrin e programit apo dhe të personave që janë pjesë e tij.

Si mund të realizohet kjo?

Top Channel mund të konfirmojë se çdo 24 orë në emër të Përputhen hapen qindra faqe në rrjete sociale që postojnë video apo foto nga programi, e pas kësaj shumë adhurues të programit nisin të ndjekin këto adresa duke bërë që vlera e tyre të shtohet. Pasi personi i cili ka hapur këtë faqe arrin një numër të caktuar ndjekësish, ai e shet atë me një çmim të lartë dhe blerësi i ndërron emrin duke i vendosur emrin personal ose të ndonjë biznesi që drejton.

Kjo është e thjeshtë për tu realizuar nga pirateria.

Për të pasur sa më shumë ndjekës le të zgjedhim të hapim një faqe në emer të çiftit më të klikuar momentalisht Andi dhe Tea.

Brenda një javë postojmë vetëm rreth këtij çifti dhe ndjekësit do të shtohen duke qenë se shumë persona janë fansa të tyre. E më pas mund të shitet në atë që e quajmë “treg të zi”.

Pirateria dënohet dhe Top Channel prej kohësh ka mbyllur çdo faqe që tenton të bëjë diçka të tillë, megjithatë vlen të theksojmë se televizioni i është drejtuar autoriteteve përkatëse që ndaj këtyre personave të cilët përfitojnë nga programi Përputhen të merren masat e duhura.

Top Channel