Stuhi dëbore në SHBA/ Temperatura nën zero, vështirësi në qarkullim. Anulohen qindra fluturime

02/02/2021 01:35

Pas ditësh me temperatura të acarta, Amerika veri-lindore po përballet tani me një stuhi bore që ka mbuluar shtete të tëra dhe që mund të krijojë kushte të vështira në qarkullim. Stuhia e borës ka zbardhur pjesët e brendshme të SHBA por edhe Uashington DC.

Çikago ka regjistruar më shumë se 20 centimetra borë, mëngjesin e të hënës, ç’ka çoi në anulimin e disa qindra fluturimeve në dy aeroportet e qytetit.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se reshje të dendura bore parashikohen të bien, me rreth 8 centimetra borë në orë në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konektikat. Temperaturat do të zbresin deri në -6 gradë celcius për zonën e Nju Jorkut.

Skuadrat e emergjencave janë mobilizuar në mënyrë që të përballojnë stuhinë dhe i kanë kërkuar të gjithë nju jorkezëve të qëndrojnë larg rrugëve sa më shumë që të jetë e mundur. Në Uiskonsin ndërkohë, trashësia e borës ka shkuar në disa zona në mbi 38 centimetra.

Bora pritet të mbulojë edhe Pensilvaninë në vijim. Pemët, fushat dhe ndërtesat në Baltimorë janë mbuluar po ashtu me borë me autoritetet që paralajmërojnë për kushte të vështira në rrugë dhe më shumë reshje bore dhe shiu gjatë natës. Merilendi ndërkohë është në alarm për borën që nga e diela.

Top Channel