Studimi: Vdekshmëria e Covid, rënie dramatike që prej nisjes së pandemisë

02/02/2021 20:32

Numri i vdekjeve në repartet e kujdesit intensiv të Covid-19 është ulur ndjeshëm në krahasim me nisjen e pandemisë, falë avancimeve në kurat për sëmundjen, thotë një studim i ri britanik.

Një studim i tendencave globale të pandemisë i publikuar në revistën mjekësore Anaesthesia, thotë se numri i njerëzve që vdesin prej saj ka rënë nga 60% që ishte në fillim të vitit të shkuar, në 36% në muajin tetor. Zbulimet bazohen në 52 studime të publikuara nga vende të ndryshme, ku përfshiheshin 43,128 pacientë.

Rënia e vdekshmërisë vijon tendencën që ishte parë që më herët, kur vdekshmëria ra nga rreth 60% që ishte në fund të marsit, në 42% në fund të majit, thuhet në raport.

Pesë autorët bitanikë të studimit janë të gjithë mjekë të kujdesit intensiv ose anestetistë, të drejtuar nga Prof Tim Cook i spitalit të Bath.

Doktorët thonë se vdekshmëria nga pandemia ka arritur tashmë ‘kulmin’ e saj, por dalja e varianteve të reja të virusit ka lënë më shumë njerëz të sëmurë dhe mund të rrisë përëri shifrat e viktimave.

Në analizën e tyre mjekët thonë: “Në përgjithësi vdekshmëria ishte më e ulët në fund të shtatorit (35.5%) nga sa raportuam në fund të majit (41.6%).”

Përmirësimet kanë të bëjnë me përdorimin më të madh të steroidëve siç është deksametazoni, ndryshimet në dhënien e terapisë së oksigjenit dhe lëngjeve, si dhe në menaxhimin e rrezikut të mpiksjeve të gjakut ne vena.

Tashmë vdekshmëria e sëmundjes në shumicën e rajoneve të botës qëndron në 30%-40%. Kështu, doktorët thonë se në Evrope shifra qëndron në 33.4% ndërsa në Amerikën e Veriut 40%.

Në shtetin e Victoria në Australia, ku përfshihet Melbourne, vdekshmëria qëndron e ulët në 11%. Ndërsa në Lindjen e Mesme ajo qëndron në 62%, bazuar në shifrat e katër vendeve atje, thonë studiuesit. /Guardian/

Top Channel