Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se Turqia mund të miratojë një kushtetutë të re. Deklarata e tij ngjalli diskutime nëse ai përmes kësaj mase, po synon zgjatjen e qeverisjes së tij, thote Reuters dhe AFP.

Erdogan, 66 vjeçari e ka drejtuar Turqinë si kryeministër ose president që nga viti 2002, duke forcuar kontrollin e tij mbi kombin me 83 milionë banorësh, si dhe duke i mbijetuar një grusht shteti të dështuar. Në 2017 Turqia ndryshoi Kushtetutën duke i siguruar presidentit më shumë fuqi ekzekutive, dhe duke e zbehur fuqinë e pozitës së kryeministrit. Ai më pas fitoi zgjedhjet presidenciale më 2018. Ky është mandati i parë nga dy mandatet e mundshme pesë-vjeçare sipas rregullave. Zgjedhjet në Turqi janë planifikuar të mbahen në qershor të vitit 2023, që do të thotë se, nëse ai rizgjidhet, qeverisja e tij do të duhet të mbyllet deri në vitin 2028.

Por tani, pas një takimi katër orësh te kabinetit te tij, Erdogan hodhi idenë e hartimit te një Kushtetutë të re për të zëvendësuar atë që Turqia ka përdorur që nga viti 1982, pas një grushti shteti ushtarak. “Është e qartë se burimi i problemeve të Turqisë është se kushtetutat janë shkruar gjithmonë nga puçistë”, tha Erdogan në televizionin kombëtar. “Nëse arrijmë një mirëkuptim të përbashkët me partnerët tanë (koalicionin qeverisës), ne mund të marrim masa për një Kushtetutë të re në të ardhmen”, shtoi ai. Erdogan kurrë nuk ka humbur në zgjedhje, por popullariteti i tij është zbehur që kur autoritetet nisën një operacion arrestimesh pas grushtit të dështuar te shtetit në 2016..

Top Channel