Nëse vaksinat nuk funksionojnë kundër varianteve të reja të virusit, atëherë duhet ta nisim gjithçka nga fillimi; në mbledhjen me kryetarët e landeve, kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh me tone të zymta për pandeminë.

Ajo tha se tani nuk ka më siguri mbi sasinë e vaksinave që do të dorëzohen në muajt në vijim.

“Vaksinat e koronavirusit mund të nevojiten edhe për mjaft vite të vazhdim. Është e ngjashme me vaksinën e gripit, me të cilën njerëzit duhet të rivaksinohen vazhdimisht kundër mutacioneve të reja që pëson virusi”.

Ecuria e ngadalshme e vaksinimit për mbrojtjen nga koronavirusi në Gjermani po shkakton pakënaqësi masive. Ndaj samiti virtual për vaksinimin mes kancelares Angela Merkel, kryeministrave të landeve si dhe përfaqësuesve të degës së farmaceutikës dhe të Komisionit të BE-së kishte synim të ndihmonte në sqarimin e situatës. Por as kjo nuk ndihmoi shumë, ndërsa disa e cilësuan takimin si një „teatër absurd”.

Që përpara tij, u bë e ditur se Ministria e Shëndetësisë priste deri në fund të marsit një furnizim prej 18,3 milionë dozash vaksine nga prodhuesit BioNTech/Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca. Në tremujorin e dytë Gjermania duhet të marrë gjithsej 77,1 milionë doza vaksinash nga prodhues të ndryshëm. Për tremujorin  e tretë madje parashikohen 126,6 milionë doza. Të gjitha këto megjithatë janë vetëm parashikime, pasi faktorët e pasigurisë janë të shumtë, sidomos proceset e prodhimit dhe furnizimi.

Top Channel