Është infektuar dy herë/ Adoleshenti britanik ka 10 muaj në koma, por nuk di asgjë për koronavirusin

02/02/2021 14:36

Britani – Një adoleshent që po del nga koma 10 mujore nuk ka aspak dijeni për pandeminë e koronavirusit, pavarësisht se është infektuar dy herë gjatë trajtimit.

Joseph Flavill, 19 vjeç u godit nga një makinë kur po ecte në Burton, Stafforshire më 1 mars të vitit të kaluar. Aksidenti i tij ndodhi rreth tre javë para se Britania e Madhe të futej nën masat e rrepta të izolimit.

Ai kaloi të gjithë këta muaj në koma pasi pësoi dëmtim në tru dhe po rikuperohet ngadalë. Kohët e fundit ka filluar të flasë.

Halla e tij, Sally Flavill Smith ka folur për median britanike ‘The Guardian’ duke thënë: “Ai nuk di asgjë për pandeminë pasi ka qenë në gjumë për 10 muaj. Ka filluar të përmirësohet sensi i tij i të kuptuarit të gjërave, por nuk e dimë çfarë ai di. Unë thjesht nuk di ku të filloj. Një vit më parë, nëse dikush do më thoshte se çfarë do të vinte, nuk mendoj se do e besoja. Nuk kam asnjë ide se si Joseph do e kuptojë të gjithë këtë.”

Ajo tha se familja është përpjekur t’ia shpjegojë me video se nuk mund të jenë pranë tij për shkak të rregullave të koronavirusit, por nuk janë përpjekur t’ia shpjegojnë deri ku ka arritur pandemia.

Joseph po vijon trajtimin e tij në spital, ndërsa është infektuar dy herë me Covid-19 por është rikuperuar pa pësuar probleme serioze.

Top Channel