Një monografi kushtuar Gëzim Kames. Kritiku Josif Papagjoni, e sheh si regjisorin më imponues që lidh natyrshëm mjedisin para dhe pas viteve 1990. Nën titullin “GËZIM KAME -TË VËRTETAT E ARTIT DHE JETËS SIME”, ai zbardh krijimtarinë e tij në dy kohë, çastet e vështira, dilemat, debatet dhe kujtimet që ndërtojnë një karrierë të suksesshme.

Ky libër nisi fare thjesht, gati si papritur. Një kafe mjaftoi mes të dyve, Gëzim Kames dhe meje. Pritej 70-vjetori i ditëlindjes së tij, më 7 nëntor 2017, dhe kur më mirë, më hijshëm e më fisnikërisht mund t’i dhurohet tjetrit diçka “ndryshe”. Jo një shishe verë, a një tortë me 70 qirinj, a një petk i shtrenjtë për kostum, a një aventurë turistike. Jo! Por një… një… libër.

Ideja lindi aty, vetvetiu. Libri është kokëfortë, qëndrestar, shumëçka tjetër në këtë botë ikën e shkon, madje dhe harrohet, qoftë një verë e vjetër, një drekë e pasur, një performim kushtuar ditëlindjes si dhe mijëra e mijëra fjalë, urime, lëvdime, përgëzime nga njerëz që të duan dhe i do. I gëlltit të gjitha ajri i mbrëmjes, gollet e përditshmërisë. Harresa. Ndoshta, vetëm libri nuk plaket, as rituali i kohës s’e plak dot, sepse ai është bir i Hyjit të kujtesës, mbamendjes, Apolonit. Ja, këtu lëvizi mendimi ynë i përbashkët gjersa hurbim së toku kafe në barin “C’est la vie” në rrugën e Kavajës. Dhe fleta e parë e librit ia behu që aty…

Gëzim Kame është sa personazhi i “vetvetes”, aq dhe personazhi i të “tjerëve”. Ai vetë ka rrëfyer me artin e tij për të tjerët, mijëra spektatorë nëpër vite. Si kritik e studiues i teatrit në këto fletë, Josif Papagjoni, ka dëshmuar vetveten, përjetimet, mbresat dhe vlerësimet e mia, gjurmë të lëna viteve në shpirt për regjisorin e mirënjohur Gëzim Kame, sikundër ai, nga ana tjetër, ka ofruar po vetveten, veç disi ndryshe. E gjitha ngjan si një akt ekzorcizmi, por jo nga shajnia, as dhuna, përkundrazi, nga përhirimi dhe dëshira e përbashkët për të shkruar një JETË, çka ka përfshirë të tri kahet a rrjedhat që e përbëjnë këtë libër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA