Do të lehtësohen masat shtrënguese? Skënder Brataj flet në “Wake Up”: Sot do ketë komunikatë, ja si është situata aktuale në spitale

01/02/2021 09:52

Kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj ishte i ftuar në “Wake Up” ku foli për masat e reja shtrënguese që pritet të njoftohen ditën e sotme.

Shifrat e të infektuarve janë në rritje gjatë kohëve të fundit ndaj nuk pritet të ketë lehtësime të masave.

“Sot do të ketë një komunikatë për sa i përket masave. Nuk mendoj se do ketë lehtësim të masave, sepse tregues janë në rritje dhe kur janë në rritje di fillimin, por ajo rritje vazhdon ato dy javë siç kemi mësuar dhe për dy javë numri i të sëmurëve dhe të shtruarve në spital normalisht të çon drejt ezaurimit të burimeve që ke në dispozicion. Jemi në vlerësim e sipër, sot do të ketë një komunikatë.

Tani kemi përsëri rritje. Ajo që është tipike në këtë moment është rritja e numrit të të infektuarve në moshat 15-24; 25-35 vjeç. Është numri më i rritur, është shtresa më aktive dhe e pakujdesshme. Ka rritje të numrit të infektuarve te të rinjtë. Kemi mosha të reja të shtruar në spital”, tha Brataj.

Ndërkohë, masat që janë aktualisht në fuqi është kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në 06:00, vijimi i mësimit online për universitetin si dhe pezullimi i fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar.

Deri tani, janë shënuar në total 78,127 raste të reja me Covid-19, ndërsa kanë humbur jetën 1380 persona.

Top Channel