Infermierja suedeze/ Ndjek një festival të tërë filmi, e vetme në një far

31/01/2021 16:00

Një infermiere suedeze ka fituar një garë për të ndjekur programin e plotë, me 60 filma, të festivalit të filmit Goteborg, nga një far në një ishull të izoluar, pranë brigjeve të Suedisë.

Lisa Enroth, mundi 12 mijë fansa të filmit nga e gjithë bota që kishin aplikuar. Infermierja, që ka punuar në repartet Covid gjatë pandemisë, thotë se ajo shpreson ta pëlqejë qenien pjesë e një realiteti krejt të ndryshëm, për një javë.

Organizatorët e festivalit u detyruan ta ndalnin atë për shkak të pandemisë. Nuk do të ketë shfaqje të filmave në kinema, por i gjithë programi do të transmetohet online. Organizatorët thanë se ata po kërkonin një fans të filmave që do të ishte emocionalisht dhe psikologjikisht i përshtatshëm për rolin. Enroth, që thotë se i kanë shteruar energjitë për shkak të pandemisë, do të qëndrojë për një javë, e vetme, në farin Pater Noster, në ishullin Hamneskar, pa telefon, pa kompjuter, pa libra apo asnjë lloj tjetër argëtimi.

Sidoqoftë, asaj do ti jepet një tablet, për të parë filmat dhe do të regjistrojë një video-ditar të përditshëm. Një ekran është vendosur po ashtu në dhomën e fenerit, në majë të farit, ku ajo mund të përjetojë edhe një shkallë 360 gradëshe shikimi të panoramës përreth.

Top Channel