Covid 19 në Portugali, situatë alarmante/ Gjermania do t’i dërgojë mjekë dhe pajisje mjekësore

31/01/2021 15:29

Ushtria e Gjermanisë do të dërgojë personel mjekësor dhe pajisje në Portugali, ku vendet bosh në njësitë e kujdesit intensiv spitalor po mbarojnë pas shtimit të lartë të infektimeve.

Njoftimin e bëri këtë të diel, Ministria e Mbrojtjes në Berlin.

Portugalia, e cila tha të shtunën se vetëm shtatë nga 850 shtretërit e kujdesit intensiv, janë të lirë i ka kërkuar ndihmë qeverisë gjermane.

Ne do të mbështesim Portugalinë me personel mjekësor dhe pajisje“, tha një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes për  Reuters.

Portugalia, e cila ka raportuar 12.179 viktima për shkak të Covid 19 dhe 711.018 raste, ka mesataren më të lartë shtatë ditore në botë të rasteve dhe vdekjeve për frymë.

Revista gjermane Spiegel tha se ushtria ka në plan të dërgojë 27 mjekë dhe ndihmësmjekë në Portugali të cilët fillimisht duhet të qëndrojnë atje për tre javë, ventilatorë të palëvizshëm dhe të lëvizshëm dhe shtretër në terren për pacientët.

Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes tha se detajet do të jepen në ditët në vijim.

Top Channel