Kina paralajmëron Tajvanin: Nëse kërkon pavarësinë, do të ketë luftë

30/01/2021 02:24

Kina paralajmëroi hapur se përpjekjet e Tajvanit për të kërkuar pavarësi, “nënkuptojnë luftë”. Paralajmërimi vjen pas disa ditësh përshkallëzimi të aktiviteteve ushtarake të Pekinit, që dërgoi dhe avionë bombardues pranë ishullit.

Ai po ashtu vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, rikonfirmoi angazhimin e tij ndaj Tajvanit. SHBA-ja tha se paralajmërimi i fundit i Kinës “është për të ardhur keq”.

Pekini e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur, ndërsa ishulli e sheh veten si shtet Sovran.“U themi seriozisht atyre forcave të pavarësisë së Tajvanit: ata që luajnë me zjarrin, do të digjen vetë, dhe pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian.

Wu po ashtu mbrojti aktivitetet e fundit ushtarake të Kinës, duke thënë se ato ishin “veprime të nevojshme për të zgjidhur situatën aktuale të sigurisë në ngushticën e Tajvanit dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”. Administrata e re amerikane pritet të ushtrojë presion mbi Kinën për një sërë çështjesh përfshirë të drejtat e njeriut, mosmarrëveshjet tregtare, Hong Kongun dhe Tajvanin.

Top Channel