Greqi, masa te reja në zonat e kuqe/ Rregullat atje ku transmetueshmëria e virusit është e lartë

30/01/2021 01:01

Greqia ka shpallur pasditen e së premtes masa më të rrepta për zonat me një numër të rritur të rasteve me Covid-19, duke përfshirë periferinë e Atikës ku ndodhet kryeqyteti Athinë.

Masat e reja do të zbatohen në vendet e konsideruara si “zona të kuqe” ku transmetimi i virusit është i lartë krahasuar me pjesën tjetër të vendit dhe hyjnë në fuqi nga ora 6:00 e mëngjesit e së shtunës.

Midis të tjerash parashikohet ndryshimi i modelit për funksionimin e gjimnazeve, liceut dhe të dyqaneve me pakicë, të cilat sapo u hapën por dotë përballen me kufizime të reja në zonat e kuqeduke lejuar vetëm blerje internetike si dhe blerje më takim në orarë të përcaktuara.

‘Nga ora 18:00 e pasditës deri në 05:00 të mëngjesit do të vendoset ora policore në të gjitha zonat e kuqe, përveç Atikës, ku për shkak të rrezikut të mbipopullimit, numrit të madh të popullsisë dhe rrjetit të zgjeruar të transportit, kufizimi i ndalimit mbetet në fuqi nga 21.00 deri në 05.00’- tha Nikos Hardalias.

Sa u përket shkollave do të rihapen gjimnazët, ndërsa liceu do të vazhdojë të kryejë mësimet nëpërmjet internetit. Gjithashtu në këto zona në vendet e adhurimit, do të lejohen vetëm 9 persona gjatë kryerjes së shërbimeve fetare. Zona të kuqe prej nesër janë edhe disa njësi periferike në Lesvos, Kozan, Viotia, Rodopi, Lakonia, Halkidiki, Magnisia, Santorini, Mykonos,Zakynthos, Evia dhe Patra.

Në pjesën tjetër të Greqisë prej 1 shkurtit përveç shkollave fillore që kanë dy javë që janë hapur do të hapen të gjitha klasat e arsimit të mesëm, por jo universitetet. Masat e reja u gjykuan si të nevojshme pasi rastet e koronavirusit u rritën me të paktën 45% në këtë javë në Atikë. Në 24 orët e fundit 526 nga gjithsej 941 raste të vendit Covid-19 u diagnostikuan në këtë rajon.

‘Gjithashtu kemi 260 persona të intubuar. Ndërsa Organizmi Kombëtar i Shëndetit ka regjistruar edhe 22 vdekje të reja gjatë 24 orëve të fundit’- tha Vana Papaevangelou.

Ndërkohë në gjithë vendin janë vaksinuar mbi 215000 persona prej të cilëve mbi 15.000 kanë kryer edhe dozën e dytë të vaksinës.

Top Channel