SHBA kërkon gjykimin e rastin të vrasjes së gazetarit amerikan Daniel Pearl

29/01/2021 03:03

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje qeverisë së Pakistanit të rishikojë mundësitë për të lejuar që SHBA-ja të ndjekë penalisht çeshtjen e vrasjes së gazetarit amerikan Daniel Pearl.

Kërkesa vjen pas vendimit të gjykatës më të lartë të Pakistanit e cila liroi të enjten një shtetas britanik të dënuar në vitin 2002 për rrëmbimin dhe ekzekutimin me prerje koke të gazetarit amerikan.

Gjykata liroi nga akuzat Ahmed Omar Sheikun dhe tre bashkëpunëtorët e tij pakistanezë, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre nga burgu. Të katër personat kanë kryer 18 vjet në burg në Pakistan për vrasjen makabre të gazetarit të “Wall Street Journal”. “Sipas vendimit të gjykatës ata nuk duhet të kishin qenë në burg qoftë edhe për një ditë të vetme”, u tha gazetarëve avokati i të katër personave Mehmood Sheik, i cili pavarësisht mbiemrit nuk ka lidhje farefisnore me Omar Sheikun.

Një gjykatë që trajton çështje të anti-terrorizmit në provincën pakistaneze të Sindh-ut, atje ku ndodhi krimi 18 vite më parë, e pati dënuar Sheikun me vdekje për organizimin dhe vrasjen e gazetarit. Të tre bashkëpunëtorët e tij u dënuan me burgim të përjetshëm. Por në prill të 2020, një gjykatë apeli në Sindh e rrëzoi vendimin, duke ulur dënimin e Sheikut në shtatë vjet burg, duke e akuzuar atë vetëm për rrëmbim. Gjykata urdhëroi lirimin e tij duke i njohur kohën e kryer në burg. Gjykata urdhëroi gjithashtu edhe lirimin e bashkëpunëtorëve të Ahmed Omar Sheikut. Por autoritet pakistaneze nuk e lejuan një gjë të tillë.

Vendimi i gjykatës në muajin prill nxiti prindërit e gazetarit të vrarë amerikan dhe qeverinë rajonale ta apelojnë çështjen në Gjykatën e Lartë për të kërkuar rivendosjen e dënimeve të vitit 2002, çka çoi në vendimin e marrë sot. Avokati i familjes Pearl, Faisal Siddiqi, vuri në dukje se trupi gjykues i Gjykatës së Lartë I përbërë nga tre gjyqtarë vendosi 2 me 1 në favor të mbështetjes së pafajësisë Ahmed Omar Sheikut.

“Vendimi i së enjtes është shpërfytyrim i plotë i drejtësisë dhe lirimi i këtyre vrasësve vë në rrezik gazetarët kudo ndodhen, si dhe popullin e Pakistanit”, tha familja Pearl në një deklaratë që u publikua nga zoti Siddiqi. “Nxisim qeverinë e SHBA-së të marrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për të ndrequr këtë padrejtësi”, shtuan ata.

Daniel Pearl ndodhej në Pakistan për të raportuar mbi rrjetet e militantëve islamikë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, para se të rrëmbehej në Karaçi e më pas të ekzekutohej. Muajin e kaluar Uashingtoni tha se ishte “i gatshëm që ta gjykonte Omar Sheikun duke këmbëngulur se SHBA nuk mund ta lejojnë atë t’i shmangej drejtësisë lidhur me rolin e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e gazetarit Daniel Pearl”. Por ekspertë ligjorë në Pakistan thonë se ligjet e vendit nuk lejojnë ndërhyrjen të kësaj natyre nga një vend tjetër./VOA

Top Channel