Për certifikimin ose jo si kandidat për deputet të Albin Kurtit dhe personave të tjerë të përjashtuar nga listat fillestare të partive politike në Kosovë, Gjykata Supreme duhet të bazohet tek Kushtetuta dhe jo tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Kështu mendon ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.
Sipas Fejzullah Hasanit, duhet parë kodi i vjetër penal që nuk njeh pasojën juridike të veprës penale për ish kryeministrin.
“Gjykata Supreme duhet të bazohet në Kushtetutë dhe jo në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hasani. “Për bindjen time ajo (Gjykata Supreme) duhet të bazohet në Kushtetutën, çka thotë Kushtetuta dhe jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Duhet të bazohet në Ligjin, në Kodin Penal që nuk ia njeh pasojën juridike dhe duhet të shërbejë si precedent vendimi i vitit 2017, i cili nuk është shfuqizuar dhe nuk mund të shfuqizohet deri sa të bëhet një ndërrim në Kushtetutë. Edhe pse këtë nuk e pres..”.
Dy ditë pas pranimit të ankesave nga Gjykata Supreme, Hasani thotë se mundësitë janë që ajo ta interpretojë ankesën e LVV-së dhe të të tjerëve në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por vetë ai shpreson që të paktën, Supremja të reflektojë, në mënyrë që kandidatëve për deputetë që iu janë shlyer dënimet dhe atyre të dënuar me kundërvajtje t’iu mundësohet certifikimi si kandidatë për deputetë.
Hasani thotë se kodi penal i vitit 2012 nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me kusht. “Gjykata Supreme mund të thotë meqenëse kodi penal i vitit 2012 nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë të dënimit me kusht, vërejtjet gjyqësore dhe lirimin nga dënimi këto të gjitha duhet të kthehen në listë, pavarësisht se të kundërtën e thotë Gjykata Kushtetuese”.
Ai shton se vendimet që janë në kundërshtim me Kushtetutën nuk mund të kthehen në normë kushtetuese ndërkohë që çështja e certifikimit ose jo, të Kurtit dhe të tjerëve, është më shumë çështje ligjore se sa kushtetuese. Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi një ankesë në gjykatën supreme lidhur me mos certifikimin e liderit të partisë dhe disa emrave të tjerë, si kandidatë në zgjedhje. Të njëjtën gjë bëri edhe aleanca për ardhmërinë e Kosovës. Gjykata supreme ndërkohë ka afat për të dhënë një përgjigje, deri të shtunën, në orën 15.00.
Top Channel