Varianti britanik i Covid/ OBSH: Tashmë është përhapur në 70 vende të botës. E konfirmon edhe Maqedonia e Veriut

28/01/2021 01:11

Varianti i ri i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Britani të Madhe në fund të vitit 2020, është përhapur në 70 vende të botës, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ekspertët besojnë se varianti i Mbretërisë së Bashkuar, mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara gjithashtu njoftoi se një variant tjetër i koronavirusit, i zbuluar në Afrikën e Jugut është përhapur në 31 vende tjera.

OBSH-ja tha po ashtu se një variant i zbuluar në Brazil gjendet tani në tetë shtete të tjera. Varianti i identifikuar në Afrikën Jugore përbën shqetësim në veçanti, pasi studimet kanë treguar se ai mund të zvogëlojë efikasitetin e vaksinave që janë aktualisht në treg.

Megjithatë, vaksina e kompanisë amerikane Moderna duket se funksionon kundër varianteve të reja të koronavirusit, të zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën e Jugut, kanë thënë shkencëtarët e kompanisë. Sipas tyre, testet e hershme laboratorike sugjerojnë se antitrupat që nxit vaksina, mund t’i njohin dhe luftojnë variantet e reja. Për çdo rast, shkencëtarët thonë se për ta konfirmuar këtë, duhet të bëhen më shumë studime.

Top Channel