Sipas hulumtimit të ri, numri i peshkaqenëve në oqeanet e hapura ka rënë me 71 për qind gjatë gjysmë shekulli, kryesisht për shkak të peshkimit të tepërt dhe tri të katërtat e specieve të peshkaqenëve të studiuar tani janë zhdukur.

Studiuesit thonë se nevojitet një veprim urgjent për të siguruar një të ardhme më të ndritur për këto “kafshë të jashtëzakonshme, të pazëvendësueshme”.

Ata u bëjnë thirrje qeverive të zbatojnë kufizime të bazuara në shkencë për peshkimin. Studiuesi Richard Sherley pranë Universitetit të Exeter thotë se rënia e numrave duket të jetë shkaktuar në një pjesë të madhe nga aktivitetet e peshkimit.

“Peshkimi ka sjellë një ulje prej 70 për qind në 50 vjetët e fundit. Për çdo dhjetë peshkaqenë që keni pasur në oqeanin e hapur në vitet 1970, ju keni tre sot,” tha Sherley për BBC News.

Peshkaqenët kapen për shkak të mishit dhe vajit të mëlçisë. Nga 31 specie të studiuara, 24 janë të kërcënuar me zhdukje dhe tri specie peshkaqeni (peshkaqen i bardhë, peshkaqen dhe peshkaqen balene) tani klasifikohen si të rrezikuara në mënyrë kritike – kategoria më e lartë e rrezikut, sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Profesori Nicholas Dulvy pranë Universitetit Simon Fraser në British Columbia Kanada tha se peshkaqenët janë në rrezik jashtëzakonisht të lartë të zhdukjes, shumë më tepër sesa zogjtë, gjitarët ose bretkosat, pavarësisht distanca nga toka.

“Peshkimi kërcënon shëndetin e ekosistemeve të tëra oqeanike, si dhe sigurinë ushqimore për disa nga vendet më të varfra të botës”, tha ai.

Peshkaqenët janë në krye të zinxhirit ushqimor dhe janë thelbësorë për shëndetin e oqeanit. Humbja e tyre prek kafshët e tjera detare, si dhe jetën e njerëzve. Studimi u botua në revistën Nature.

Top Channel